Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj duke komentuar numrin e madh të të infektuarve me COVID-19 dhe rastet e vdekjes, ka thënë se sot situata është edhe më keq.
Zemaj, përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje për respektim të masave dhe vaksinim.
“Sot edhe më keq: 1.128 raste të reja me virusin Covid-19 dhe 3 raste të vdekjes. Kjo është alarmante. Qytetarë të dashur, ju lutem me gjithë shpirt: Respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ju lutem me gjithë shpirt: VAKSINOHUNI. Edhe përkundër menaxhimit të dobët në qendrat e vaksinimit, ju lutem që të keni durim dhe të merrni vaksinën”, ka shkruar ai. /Telegrafi/