Ministria e Shëndetësisë, njoftoi sot se ka dhënë licencën për importimin e produkteve për përdorim tek pacientët me COVID-19 si: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine.
Lidhur me këtë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se do të autorizoj përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj.
Zemaj ka thënë se kjo po bëhet që të ruhet jo vetëm shëndeti por edhe xhepi i qytetarëve.
Postimi i plotë:
Kam aprovuar sot propozimin e Grupit profesional të Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale që për zbatimin e masave të veçanta, AKPPM të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19 si: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine.
Ky aprovim vlen për periudhën gjatë pandemisë Covid-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.
Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë së virusit Covid-19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në Udhërrëfyesin klinik për menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19.
Gjithashtu, do të autorizoj përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj.
Gjithsesi i tërë procesi do të bazohet në veprimet që përkojnë me praktikat më të mira ligjore që të ruhet jo vetëm shëndeti por edhe xhepi i qytetarëve!
Ministria e Shëndetësisë me të gjitha mundësitë është në shërbim të qytetarëve, brenda mandatit që disponon. /Telegrafi/