Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, përmes një konference për media, ka njoftuar se ka dorëzuar propozimin e tij për Projektligjin e ri për shëndetësi.
Ai tha se në Projektligj kanë punuar ekspertë të fushës me qëllim të përmirësimit të shëndetësisë në Kosovë, ndërsa shtoi se shëndeti i mirë i qytetarëve të Kosovës nuk duhet të jetë betejë politike.
“Në këtë projektligj kanë punuar profesionistë shëndetësorë e ekspertë të fushës me qëllim të përmirësimit të shëndetësisë në Kosovë. Uroj që ky projektligj të gjejë mbështetjen parlamentare”, u shpreh Zemaj para gazetarëve, raporton Telegrafi.
Mes tjerash, ai tha se në këtë projektligj janë rregulluar disa çështje dhe përmendi disa nga ato.
“Propozon sistem funksional shëndetësor përmes lidhjes dhe harmonizimit të shëndetit parësor me sistem unik, decentralizon dhe bën të zbatueshëm sistemin dytësor shëndetësor, funksionalizon pavarësinë e shërbimeve shëndetësore në nivel tretësor përmes QKUK-së. Po ashtu, barazon sistemin publik, publiko-privat dhe privat, përcakton ofruesit e shërbimeve shëndetësore, jep mundësinë e krijimit të institucioneve tjera shëndetësore, rregullon orarin e shërbimeve, etj”.
Ky ligj tha se në përmbajtjen e tij ka 128 nene dhe se do të jetë lehtë i zbatueshëm në të mirën e qytetarëve. /Telegrafi/