Telegrafi

​Zemaj: Prioriteti im është që qytetarët të marrin shërbimet në Kosovë dhe jo jashtë vendit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi sot se duhet të rritet efikasiteti i shërbimeve spitalore, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të marrin shërbime jashtë vendit, e që numri i tyre është enorm.

Zemaj u zotua se do të insistojnë maksimalisht që asnjë mjek në Kosovë të mos mbetet i papunë.

Kështu ka deklaruar Zemaj gjatë takimit me drejtorët e klinikave të QKUK-së, derisa tha se qëllimi i këtyre takimeve është që të jenë së bashku në këtë kohë dhe të koordinojnë aktivitetet në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Ne jemi të interesuar që të ngrisim kapacitetet dhe të ju ndihmojmë, por duke kërkuar llogari dhe transparencë. Ne komunikojmë me dokumente dhe letra… Unë jam ithtar i kësaj dhe do të jem çdo kohë dhe do të jem edhe fizikisht, që të jemi koshient dhe të shfrytëzojmë ndihmën e partnerëve. Një ndër prioritetet e mia është që qytetarët të marrin shërbimet në Kosovë, e jo në numër enorm të dalin jashtë vendit”, ka theksuar ai.

Zemaj tha se në kohën në të cilën Kosova po kalon, duhet të kthehen shërbimet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se sot do të adresohen tri tema: menaxhimin e pandemisë, ngritja e disiplinës dhe planet e rikthimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët.

Ai ka falënderuar të gjithë mjekët e drejtorët e klinikave të QKUK-së për punën dhe menaxhimin e pandemisë gjatë këtyre muajve. /Telegrafi/