Telegrafi

Zemaj: Po e bëjmë gati Spitalin për COVID-19 me 500 shtretër

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me Sars Covid-19, Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për çdo skenar.

Zemaj, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar as Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati Spitalin për COVID-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.

Postimi i plotë i Zemajt:

“Përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me Sars Covid-19, ne po përgatitemi për çdo skenar.

Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati “Spitalin për Covid-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.

Po komunikojmë me COVAX/OBSH për sigurimin e vaksinës së mundshme kundër Covid-19, si dhe po bëjnë veprimet e nevojshme në pajtim me situatën.

Ne jemi nën presion edhe nga bizneset si pasojë e mos votimit të “Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike” e që po na vështërson përpjekjen tonë kundër virusit.

Mos miratimi i Projektligjit po rrezikon mbijetesën e shumë bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.

Është shqetësuese dhe për keqardhje, sepse po ndodh, për shkak të tekeve të disa deputetëve.

Në parandalimin e përhapjes së virusit duhet kujdes, shumë KUJDES! Kërkohet respektim i masave parandaluese!”, ka shkruar Zemaj.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë në gjysmën e muajit mars, numri total i rasteve pozitive është 15,002 raste nga 61,547 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Si pasojë e COVID-19, kanë vdekur 614 persona. /Telegrafi/