Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj po e mohon se ka pasur pacientë duke pritur korridoreve për të marrë shërbimet shëndetësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përkundër se në mediat kanë dalë pamje të tilla.
Kreu i shëndetësisë në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës tha asnjë pacientë nuk ka mbetur keq për asgjë.
Zemaj duke iu përgjigjur një pyetje të deputetit të PDK-së, Sejdi Hoxha tha se rritja e kapaciteteve në QKUK dhe Spitalet rajonale është në vazhdimësi.
“Asnjë pacient asnjë pamje dhe informacion i tillë nuk është që ka ndodhur dhe mbingarkesën më të madhe që ka ndodhur në dy muajt e kaluar. Duhet të jemi të kujdesshëm kur kemi deklarime të tilla dhe të jemi vigjilent se pandemia ka krijuar këso probleme. Rritja e kapaciteteve është në vazhdimësi, pretendimet tona dhe organizmi që është bërë në QKUK dhe Spitalet rajonale na kanë ndihmuar të tejkalojmë seriozitetin e gjendjes. Njerëzit të marrin shërbimet jo vetëm për COVID, por edhe shërbimet tjera emergjente. Andaj diçka tillë nuk ka ndodhur, askush nuk ka pritur ulëse dhe askush nuk ka mbetur diçka keq, përveç ndonjë mekadimenti”, tha ai.
Por deputeti, Hoxha ia bëri me dije ministrit se situata me COVID-19 nuk është aq normale, siç po pretendon ai.
“Situata nuk është aq në gjendje normale sa ju po pretendonani që është. Ne kemi pa skena edhe përmes mediave, nuk janë qe gjashtë muaj, por par një muaji që pacientet kanë pritur dhe janë shtrirë në ulëset e korridoreve në QKUK”, tha ai./kp/