Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka sqaruar vendosjen e masave të reja antiCOVID, të cilat hynë në fuqi nga dita e djeshme.
Zemaj ka i është përgjigjur mikrobiologut Lul Raka, i cili reagoi pas këtyre masave.
I pyetur se a është konsultuar me Bordin Këshillëdhënës për vendosjen e masave të reja, ministri në detyrë është shprehur se bordi është për t’i dhënë këshilla, ndërsa si institucion zyrtar që vendos është IKShPK-ja dhe MSh-ja.
“Bordi këshillëdhënës është një trup e formuar nga unë që marr këshilla nga ata, ndërsa institucion zyrtar është IKShPK-ja dhe MSh-ja dhe për këtë duhet të bëhet dalim. Dikush po ka dëshirë dhe aryse të keqpërdor mënyrën e komunikimit”, tha Zemaj.
Kujtojmë se dje mikrobiologu Lul Raka, i cili është edhe kryesues i Bordit Këshillëdhënës ka reaguar duke thënë se Qeveria nuk është konsultuar me këtë bord për lirimin e masave kufizuese.
“Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtritjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë. Prandaj, unë jam kundër lirimit të masave në këtë kohë”, ka shkruar Raka.
Këto komente ai i bëri gjatë një vizite që pati në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozheran të Vitisë, ku edhe sqaroi se testi PCR për ata që hyjnë në territorin e Kosovës ka qenë i vendosur që nga fundi i shtatorit i vitit të kaluar.
“Kjo masë është e vendosur që nga fundi i shtatorit, nuk është masë e re. Masë e re është vetëm kthimi i studentëve të fakultete, dhe heqja e orës policore”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e manipulantëve.
“Lus qytetarët që të mos bien pre e manipulantëve të fushatave të ndryshme agresive kundër institucioneve dhe të mos luajnë me ndjenjat e mërgatës që gjithmonë janë të mirëpritur”, u shpreh Zemaj. /Telegrafi/