Site icon Telegrafi

Zemaj për menaxhimin e pandemisë: Qeveri pa ide, pa eksperiencë, e paaftë dhe e papërgjegjshme

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e pandemisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Qeveria është “pa ide, pa eksperiencë , e paaftë dhe e papërgjegjshme, me fjalë shumë e aspak punë.

Ish-ministri i Shëndetësisë tha se nuk ka vaksina mjaftueshëm dhe as terminë për tu vaksinuar.

“Qeveri pa ide, pa eksperiencë, e paaftë dhe e papërgjegjshme, me fjalë shumë e aspak punë. Keqmenaxhimi i kësaj Qeverie vazhdon të thyej rekorde të zeza në vazhdimësi. Mbi 100 qytetarë të vdekur për vetëm 4 ditë. Vetëm sot 22 prej tyre ndërruan jetë, gjersa kemi 27.404 raste aktive me Covid-19. Zoti na ruajt”, shkruan ndër të tjera Zemaj.

Postimi i plotë:

Qeveri pa ide, pa eksperiencë, e paaftë dhe e papërgjegjshme, me fjalë shumë e aspak punë

Keqmenaxhimi i kësaj Qeverie vazhdon të thyej rekorde të zeza në vazhdimësi. Mbi 100 qytetarë të vdekur për vetëm 4 ditë. Vetëm sot 22 prej tyre ndërruan jetë, gjersa kemi 27.404 raste aktive me Covid-19.

Zoti na ruajt!

⚫ Ndodh edhe kjo, vaksina nuk kemi mjaftueshëm, termine të lira jo, ndërsa kësaj qeverie i skadon afati i vaksinave.

Kjo Qeveri, për 10 ditë i ndryshoi 3 herë masat.

⚫ Spitalet janë plot e stafi shëndetësor i stërngarkuar.

⚫ Shtesat për profesionistët shëndetësorë i ulën deri në nivel lëmoshe.

⚫ Diasporën tonë të dashur për arsye elektorale tentuan ta manipulojnë, ndërsa shëndetin dhe jetën ia rrezikuan, me virus e infektuan.

⚫ Një pjesë e madhe e bashkatdhetarëve tanë, në vend se të kthehen në vendet e tyre të punës, ata përfunduan të shtrirë në spitale duke luftuar për jetën e tyre.

⚫ Zvicra dhe vendet tjera mike, e bëjnë përgjegjës vendin tonë për shpërndarjen e virusit në vendin e tyre.

⚫ Kjo Qeveri, Kosovën e renditi në pozitën e parë në lista të zeza për nga shkalla e rrezikshmërisë, si rezultat i numrit të të vdekurve dhe të infektuarve.

⚫ Pasojat e këtij keqmenaxhimi kanë adresë, ajo është Qeveria, respektivisht i pari i saj dhe i pari i Ministrisë së Shëndetësisë, me ç’rast ky i fundit dje tha se unë jam i njëjti. Ministër, ne e dinim që je i njëjti, ndaj dhe nuk kemi pritur kurrë më shumë nga ju, ndërsa tani edhe të tjerët po të shohin e po të njohin mirë cili je, besa shumë mirë, dhe pikërisht për këtë arsye nuk ke mundësi më t’i mashtrosh.

⚫ I pari i Qeverisë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës bënte propagandë kinse me ardhjen e tyre edhe virusi iku. Ishte i pari në botë për shpallje të përfundimit të pandemisë, ndërsa e bëri vendin tonë të parin në botë për vdekshmëri e infeksion. 

⚫ Kjo Qeveri, në emër të përfundimit të pandemisë i kishte larguar edhe 575 profesionistë shëndetësor.

⚫ Kjo është e vetmja Qeveri që përgjegjës dhe fajtor për paaftësinë e saj e bën popullin e vet.

Zoti na ruajt! . /Telegrafi/

Exit mobile version