Telegrafi

Zemaj pas rritjes së rasteve me COVID-19: Krejt për pushtet e asgjë për shëndet

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas rritjes enorme të rasteve me coronavirus në Kosovë.

Me fjalinë “Krejt për pushtet e asgjë për shëndet”, ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, për menaxhim të kësaj situate duke thënë se “prioritet e ka mashtrimin”.

“E keqja nuk po ka fund! Sot i kemi 1.084 raste të reja me Covid-19, ndërsa dje ishin 1.219. Për fatin e keq gjatë javës kishim edhe disa të vdekur si pasoj e Covid-19. Vala e infeksionit ka marrë përpjetën, derisa për këtë Qeveri prioritet mbetet mashtrimi”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ndryshe, sot në Kosovë është regjistruar një viktimë nga COVID-19 dhe një mijë e 84 raste të reja të infektimit./Telegrafi/