Site icon Telegrafi

Zemaj: Paramilitari i Millosheviqit, sot njeriu kryesor në Kosovë i 60 milionë eurove për subvencionet në bujqësi

Ministri i ri Bujqësisë, Nenad Rikalo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës.

Kanë qenë banorët e ndërtesës në ‘Kurriz’ të Dardanisë ata që kanë rrëfyer për mediat në Kosovë torturat që ua ka bërë ministri Nenad Rikalo.

E lidhur me këtë kanë ardhur reagime të shumta.

Njëri ndër ta është edhe i deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Ministri i qeverisë së ‘patriotëve’, paramilitari i regjimit të Millosheviqit, Rikallo, i cili kishte rrahur dhe maltretuar studentë të komunës së Deçanit (përshkrim autentik nga banorët e Dardanisë) sot është njeriu kryesor i ndarjes së buxhetit prej 60 milionë eurove të taksapaguesve të ndershëm për subvencionet në bujqësi”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Dhe sipas tij, “sigurisht përfituesit e parë do të jenë pikërisht krerët e këtij koalicioni dhe grupet e tyre të cilët privatizuan (uzurpuan) qindra hektarë tokë bujqësore në Komunën e Deçanit”.

“Ndërsa studentët e rrahur dhe maltretuar të kohës së paraluftës do shikojnë tash nga afër se si vazhdon paraqitja e figurave të okupimit së bashku me ‘çlirimtaret’ duke hedhur subvencione politike sidomos tash para zgjedhjeve lokale”.

“Prokurorë të shtetit, nëse jeni ksajde shikoni ju lutem storiet dhe dëshmitë publike të paramilitarit Rikallo para dhe gjate luftës”, ka përfunduar Zemaj. /Telegrafi/

Exit mobile version