Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj vizitoi sot Komunën e Istogut ku u prit nga kryetari i kësaj komune Haki Rugova, ndërsa tha se MSh është duke fuqizuar aktivitetet e saj si në aspektin e shtimit të kuadrit mjekësor, ashtu edhe të masave mbikëqyrëse për zbatimin e Manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, të miratuar nga Ministria.
Zemaj ka falënderuar autoritetet lokale dhe profesionistët shëndetësor të kësaj komune për përkushtimin e treguar gjatë kësaj kohe.
Ministri tha se MSh do të jetë afër komunave duke siguruar mbështetje për kujdesin parësor shëndetësor, duke e ditur rëndësinë e këtij niveli që është porta e parë e luftimit të sëmundjeve.
Ai kërkoi që institucionet dhe qytetarët e Komunës së Istogut ta zbatojnë manualin dhe masat në fuqi në funksion të ruajtjes së shëndetit publik.
Kryetari i Istogut, Haki Rugova tha se qendra operative e emergjencës në këtë komunë ka menaxhuar në bashkëpunim me institucionet qendrore situatën rreth Covid-19 në këtë komunë.
Gjatë vizitës në Istog, Ministri Zemaj mori pjesë edhe në përurimin e shërbimit të maternitetit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjar, financuar nga fondet e Qeverisë së Republikës së Turqisë.
Ai falënderoi Turqinë për mbështetjen e dhënë sistemit shëndetësor të Kosovës dhe asistencën konkrete gjatë pandemisë.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, tha se ky donacion nga populli i Turqisë për qytetarët e komunës së Istogut shërben për të rritur kujdesin shëndetësor, sidomos për nënat dhe fëmijët dhe se ky shtet do të mbetet i angazhuar që ta ndihmojë popullin mik të Kosovës. /Telegrafi/