Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se shëndetësia nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti është në gjendjen më të keqe se që ka qenë ndonjëherë.
“Sot në këtë seancë sigurisht na duhen shumë minuta për të folur rreth shëndetësisë së udhëhequr nga kjo qeveri, që ka dështuar shumë në këtë sektor. 3 vjetori i ardhjes në pushtet të kësaj partie e gjen shëndetësinë më keq se asnjëherë më parë”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka shtuar se kjo Qeveri, më saktësisht shëndetësia, në krye me ministrin Arben Vitia u treguan të paaftë, të paditur dhe dështuesit më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë Kosova.
“Shëndetësia në qeverinë e Albin Kurtit është sektori më i nëpërkëmbur. Në të kaluarën kishte mungesë të barnave, sot ka mungesë edhe të letrave higjienike, sapunëve, shiringave, penjve dhe infuzione”, tha Zemaj.
Zemaj shtoi e Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në laborator eksperimenti me hyrje e dalje të ministrave, me emërime e shkarkime, ikje e rikthime. /Telegrafi/