Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është duke monitoruar testimet që po bëhen në sheshin “Zahir Pajaziti”, për coronavirus.
Zemaj e mirëpriti iniciativën e Institutit dhe sipas tij, kjo është mënyrë e mirë që të testohen sa më shumë qytetarë.
“Pavarësisht që situata është në kontroll ne duhet të jemi të kujdesshëm”, tha ai.
I pyetur se a do ketë ndryshim të masave në rast që do ketë përmirësim të situatës epidemiologjike ministri tha që masat mbesin të njëjta.
“Do fillojmë edhe me teste të shpejta, teste të avancuara dhe këto teste që tashmë kanë ardhur do të mundësojnë që të jepen në vende të ndryshme dhe do zbatohen shpejtë”.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar se për dy ditë radhazi qytetarët mund të testohen për COVID-19 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
IKSHPK ka njoftuar se testimi bëhet prej orës 09.30 deri ora 13.00 më datë 29 dhe 30 dhjetor 2020.