Telegrafi

Zemaj i quan riciklim emrat e propozuar nga PDK-ja për kabinetin qeveritar

(E plotësuar)- Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se në Qeverinë e Kosovës ka nevojë për energji të reja.

“Është koha më e përshtatshme tash pas arritjeve të fundit që ka bërë Kosova sidomos pas MSA-së dhe liberalizimit të vizave, që në qeveri të ketë energji të reja”, ka thënë Zemaj në Info Magazinë, transmeton Telegrafi.

Zemaj nuk i ka konsideruar si energji të reja emrat e ministrave “të rinj”, të propozuar nga PDK-ja, të cilët do të zënë vend në Ministrinë e Drejtësisë, Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme dhe atë të Arsimit.

“Për mendimin tim emrat që janë përmendur nuk janë energji të reja. Mund të themi se është një lloj riciklimi”, ka thënë Zemaj./Telegrafi/

Zemaj: Mes LDK-së e PDK-së nuk ka dashuri të madhe

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se nuk ka ‘dashuri’ të madhe mes LDK-së e PDK-së, duke folur për ftohjen e raporteve mes partnerëve të koalicionit.

“Mendoj që liderët politik duhet të ulen dhe ta shikojnë këtë gjendje, dhe të shohin nëse ekziston se vullneti për mos vazhdim të koalicionit atëherë kjo duhet të paraqitet në mënyrë reale”, ka thënë Zemaj në Info Magazinë.

Ai ka folur edhe për përgjegjësinë e deputetëve duke thënë se pjesëmarrja e tyre në seanca nuk është e kënaqshme.

“Në situatën e re në Kuvend, pa opozitën, pjesëmarrja e deputetëve nuk ka qenë në nivelin e duhur, si obligim kushtetues që e kanë. Mandati i deputetit pavarësisht që ne e quajmë mandat i lirë, mbi të gjitha është një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe subjektit politik”./Telegrafi/