Site icon Telegrafi

Zemaj: Masat e reja për të ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet në Prishtinë dhe gjashtë komuna tjera po respektohen

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se masat e reja për të ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Gjilan, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime, po respektohen.

Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për përkushtimin e madh, transmeton Telegrafi.

“Në zbatimin e rreptë të masave janë edhe Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale dhe shtabet komunale për zbatimin e Ligjit anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19.

Bashkë me IKSHPK-në po përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike, bazuar në hartën e rasteve me COVID-19 për 100 mijë banorë, nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve të reja në komunat të tjera, edhe ato do të mbyllen”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Zemaj ka lutur qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit.

“Ju lus të keni kujdes, rreziku nga virusi ekziston dhe për shkak të mos përmbushjes së rekomandimeve.Bashkë ia dalim”, thotë ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.

Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fut në karantinë shtatë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.

Në komunat e lartë cekura ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020. /Telegrafi/

Exit mobile version