Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se largimi i Spitalit të Podujevës nga buxheti mund të jetë lojë e ndytë brenda ShSKUK-së.
Ai në emisionin “Kallxo Pernime” tha se ka insistuar që ky spital të bëhet dhe do kërkojë përgjegjësi.
“Kam insistuar që ky projekt të bëhet, ky që ka filluar pesë vite më parë. Projekti është iniciuar në fund të vitit të kaluar, është bërë zotimi i një shume të caktuar të mjeteve, janë shpallur procedurat dhe tani jemi njoftuar që për mendimin tim duhet të rishikohet si proces se pse është anuluar. Ata të cilët e kanë larguar këtë projekt nuk mund ta adresojnë tek ministri i Shëndetësisë. Kjo ose është një lojë e ndytë brenda SHSKUK-së ose dikush duhet të vihet para përgjegjësisë për largim nga kodi buxhetor Spitalin e Podujevës. Unë e kam adresuar tek ShSKUK sepse kam pritur raport zyrtar”, ka thënë Zemaj.
Lidhur me largimin e këtij spitali nga buxheti ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se projekti u përdor vetëm për fushatë.