Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka siguruar qytetarët e vendit tonë se të gjitha testet PCR për coronavirus të kryera në IKSHPK janë të besueshme.
Ai në një postim në Facebook ka sqaruar se IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë, këtë vit mori pjesë në tri kontrolle të jashtme të kualitetit për testimin molekular me Rt PCR, dy për Sars-CoV-2 dhe një për Influencën.
“IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë, këtë vit mori pjesë në tri kontrolle të jashtme të kualitetit për testimin molekular me Rt PCR, dy për Sars-CoV-2 dhe një për Influencën. Dy kontrolle janë organizuar nga OBSH-ja dhe një nga Instituti ‘Pastuer’ në Paris (përmes projektit MedilabSecure dhe QCMD – Quality Control for Molecular Diagnostics, në Skoci)”, ka thënë Zemaj.
Për më shumë, postimi i plotë:
Në EQA 1 (external quality assessment) për detektim të Sars-CoV-2 me Real Time PCR, të organizuar nga OBSH-ja në prill 2020, pesë mostrat e dërguara ishin të detektuara 100% saktë;
Në EQA 2, të organizuar nga OBSH-ja për detektim të Influencës me Real Time PCR, në qershor 2020, të gjitha 10 mostrat ishin detektuar dhe subtipizuar në mënyrë të saktë;
Në EQA 3, të organizuar nga QCMD për detektim të Sars-CoV-2 me Real Time PCR, përmes projektit Medilab Secure të Institutit “Paster”, në shtator 2020, nga 8 mostrat të dërguara, 100% ishin detektuar në mënyrë të saktë.
Raportet e tri paneleve të kontrollit të jashtëm të kualitetit janë dëshmi e këtyre konstatimeve dhe besueshmërinë e IKShPK dhe punonjësve tanë.
Për këto rezultate të kualitetit maksimal, meritor janë mikrobiologët si dhe laborantët në Departamentin e Mikrobiologjisë në IKShPK të cilët me përkushtim maksimal janë duke zbatuar profesionalizëm të plotë nga fillimi i pandemisë me Covid 19. /Telegrafi/