Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka treguar arsyet e kërkimit të interpelancës për kryeministrin Ramush Haradinaj, e cila ka të bëjë me gjuajtjen me armë të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Ai në foltoren e Kuvendit, ka theksuar se këto pamje e kanë dëmtuar edhe më tepër imazhin e kabinetit qeveritar, e cili sipas tij, është shumë i dëmtuar.
“Është e domosdoshme të mos lejohet degradimi i besimit dhe prishja e imazhit të lënduar nga skenat me karakter kriminal. Qytetarët dëshirojnë siguri për veten dhe familjet e tyre dhe nuk duan rrezikim të jetës nga kabineti i papërgjegjshëm qeveritar”, ka shtuar Zemaj.
Ai ka kërkuar në tekstin e mocionit që të shkarkohet zëvendëskryeministri Dardan Gashi nga pozita e tij dhe qeveria të mbajë përgjegjësi për aktin e kryer nga ky anëtar i kabinetit qeveritar. /Telegrafi/