Site icon Telegrafi

Zemaj kërkon nga Qeveria që të rishikojë vendimin për deponinë e mbeturinave në Fushë Kosovë

Vendimi I ekzekutivit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit (deponisë) për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë nuk është mirëpritur nga banorët e fshatrave të Fushë-Kosovës.

Ata po e kundërshtojnë këtë vendim si të rrezikshëm për sigurinë e tyre. E këtë zonë, sot e ka vizituar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj së bashku me Mentor Zogianin, banorë i fshatit Harilaq të Fushë Kosovës.

Zemaj përmes një postimi në Facebook, ka apeluar tek Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të rishikojnë këtë vendim.

Postimi i plotë:

Sot, së bashku me Mentor Zogianin, njëherit njëri ndër banorët protestues të fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës, vizituam pjesën ku ditë më parë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e deponisë së materialeve të rrezikshme në një zonë, e cila nuk është larg pjesëve të banuara. Afërsia e saj ka ngritur shqetësime për këta qytetarë, jo vetëm për arsye të anashkalimit të tyre, por edhe duke mos i njoftuar fare se çka do të vendoset aty, çka nënkupton ‘materiale të rrezikshme’, sa është siguria për ta, si menagjohet ajo dhe cili është rreziku të cilit i nënshtrohen ata. Këto fakte bëhen edhe më shqetësuese atëherë kur as Komuna e Fushë-Kosovës, sipas banorëve nuk është pyetur, si dhe qytetarët nuk janë konsultuar fare si institucion lokal, i cili është përgjegjës për atë pjesë.
Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të rishikojnë këtë vendim në harmoni me kërkesat dhe kushtet e banimit të qytetarëve të fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës, ku po ashtu kjo deponi prek shumë afër edhe pjesët e gjetjeve arkeologjike siç është: “Kalaja e Harilaqit”, lagjen e Rrafshinave, pjesë të Korreticës, e po ashtu në njē afërsi është vendosur edhe ndërtimi i Stadiumit Nacional të Futbollit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version