Site icon Telegrafi

Zemaj kërkon nga Italia që ta ndihmojë Kosovën me profesionistë shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar nga Italia që ta ndihmojë Kosovën me profesionistë shëndetësor.

Zemaj këtë kërkesë e ka parashtruar gjatë takimit të tij me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, transmeton Telegrafi.

“E njoftova Ambasadorin se Kosova është duke rritur kapacitetet për t’u ballafaquar me COVID-19. Kërkova që Italia të na ndihmojë duke na dërguar profesionistë shëndetësor, veçanërisht mjekë të reanimacionit, anesteziolog, që me përvojën e tyre të na mbështesin në këtë kohë të pandemisë”, ka shkruar ministri në Facebook.

Zemaj ka thënë se javë më parë kanë bërë marrëveshje përkatëse me palën italiane për sjelljen e disa mjekëve në Kosovë për të ndihmuar në përballje me COVID-19.

“E falënderova shtetin mik të Italisë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën gjatë këtyre viteve dhe veçanërisht gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë”./Telegrafi/

Exit mobile version