Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se këtyre ditëve në Kosovë është duke qëndruar një mision prej rreth 25 ekspertëve të Institutit prestigjioz “Robert Koch” nga Gjermania.
Sipas ministrit Zemaj, ky grup ekspertësh po analizon nevojat tona dhe reagimin tonë ndaj COVID-19, dhe po punojnë bashkë me ekipet tona që përgjigja e mëtejme ndaj pandemisë të jetë sa më e suksesshme dhe duke u bazuar edhe në përvojën e mirë gjermane, përcjell Telegrafi.
Në këtë drejtim, siç ka thënë Zemaj “lajmi i mirë është se Instituti Robert Koch ka futur në listën e vet Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së për njohjen e testeve PCR të Institutit tonë”.
“Pra, siç e shihni, kemi pasur mjaft aktivitete dhe rezultate të mira gjatë kësaj kohe, ndërsa nga kjo konferencë ju bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë më përgjegjësinë më të lartë masat mbrojtëse duke bartur maskën, ruajtur distancën dhe higjienën, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim së bashku”, ka thënë ndër tjerash ministri Zemaj. /Telegrafi/