Telegrafi

Zemaj dhe Ramadani përgëzojnë Rudarin për menaxhimin e pandemisë Covid19 në Podujevë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani dhe drejtori i  Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, kanë vizituar sot Komunën se  Podujevës, ku janë pritur nga nënkryetari Nexhmi Rudari.

Në takimin e sotëm nënkryetari Rudari dhe ministri Zemaj biseduan për situatën me pandeminë Covid-19 dhe sfidat me të cilat po përballet Shtabi lokal emergjent në menaxhimin e situatës.

Me këtë rast nënkryetari Rudari dhe shtabi emergjent lokal morën vlerësime pozitive për menaxhimin e situatës më Covid-19.

“Vlerësimet janë pozitive për kryetarin, shtabin emergjent për shtabin emergjent shëndetësor, për gjithçka që kanë bërë që në Komunën e Podujevës numrat e infeksionit të jenë minimalë”, ka thënë Zemaj, duke apeluar te qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse sipas Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19.

Edhe drejtori i IKSHPK, Naser Ramadani, falënderoi Shtabin komunal për punën e palodhshme që po bën tash e pesë muaj në menaxhimin e situatës me coronavirus.

“Ne tash pesë muaj jemi në kontakt të drejtpërdrejt me shtabin komunal dhe i përgëzoj për punën e bërë. Mund të them se shtabi e ka kryer me përpikëri punën e tyre, që rezulton me numër minimal krahasuar me pjesët e tjera të Kosovës”, tha drejtori Ramadani.

Nënkryetari Rudari tha se menaxhimi i deritashëm i situatës është arritur falë bashkëpunimit me qytetarët llapjanë në respektimin e rekomandimeve të IKSHP-së .

“Ne kishim një bashkëpunim të mirë, për të cilin apeluam njëzëri të rritet, sidomos në këto ditët e fundit kur kemi shtim të rasteve të prekurve me këtë virus”, tha nënkryetari Rudari.

Nënkryetari Rudari falënderoi ministrin Zemaj për mbështetjen e madhe që ofroi për projektet e Komunës së Podujevës në fushën e shëndetësisë.

Me këtë rast nënkryetari Rudari dhe drejtori SHSKUK nënshkruan memorandumin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë SHSKUK-së të pronës së paluajtshme të komunës, për ndërtimin e Aneksit të Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.

Nënkryetari Rudari dhe ministri Zemaj me bashkëpunëtorë, bashkë edhe me deputetët llapjanë, Fidan Rekaliu, Ekrem Hyseni dhe Visar Hoti vizituan edhe objektin e ri të Emergjencës, i cili është në ndërtim e sipër nga bashkëpunimi i Komunës së Podujevës me Ministrinë e Shëndetësisë.

Nënkryetari Rudari së bashku me delegacionin e MSH-së vizituan QKMF në Podujevë dhe pikën kufitare në Merdare, ku përcollën nga afër zbatimin e masave preventive ndaj Covid-19 të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/