Telegrafi

Zemaj deklarohet për përplasjen me deputetin e Vetëvendosjes

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka treguar arsyen pse e ka lënë në gjysmë raportimin e sotëm në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Ai tha se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani ishte tendencioz dhe fyes.

“Në hyrje të takimit e pashë që deputeti nuk është i interesuar për raportimin dhe në momentin kur erdhi radha për diskutim adresimi i tij ishte tendencioz, fyes kështu që kisha punë të tjera më të rëndësishme dhe nuk isha i interesuar të jem pjesë e spektakleve që s’kishin të bëjnë me punë dhe komisionin”, tha Zemaj, në T7.

Zemaj ka folur edhe për gjendjen me pandemi në Kosovë, në kohën kur numri i rasteve të reja me koronavirus vazhdon të mbetet i lartë tash e sa javë. Ai ka thënë se ka mbingarkesë në sistemin shëndetësor për shkak të kësaj dhe se nuk ka vend për vetëkënaqësi.

“Edhe një vdekje të ndodhë është shqetësuese”, ka thënë ai.