Për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit me të infektuar dhe vdekjeve nga coronavirusi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sërish ka apeluar tek qytetarët t’i respektojnë rekomandimet anti-covid.
Zemaj gjatë një vizite sonte në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan ka kërkuar nga personeli shëndetësor të vazhdojë të bëjë të pamundurën, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, me qëllim të pengimit të përhapjes dhe luftimit të kësaj sëmundje të rrezikshme që tashmë ka prekur çdo cep të botës.
“Përgëzoj menaxhmentin dhe personelin e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, për përkushtimin dhe punën që bëhet këtu, për qytetarët tanë. Mos u ndalni, ju lumtë! Virusi vdekjeprurës do ndalur. Me maskë, distancë dhe higjienë, aktualisht s’kemi rrugë tjetër. Kërkoj nga qytetarët të ndryshojnë sjelljet e deritashme, sepse, duam rezultate tjera. Bashkë ia dalim”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Tutje Zemaj ka thënë se virusi vdekjeprurës do ndalur, me maskë, distancë dhe higjienë, pasi thekson se aktualisht s’ka rrugë tjetër.
“Kërkoj nga qytetarët të ndryshojnë sjelljet e deritashme, sepse, duam rezultate tjera”, u shpreh Zemaj.
Gjatë 24 orëve të fundit dhjetë pacientë kanë vdekur nga coronavirusi dhe janë regjistruar 707 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.
Ndërkaq, në Gjilan u konfirmuan 19 raste të reja pozitive me COVID-19.
Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, numri i pacientëve me virus është 68, ndërsa nga personeli shëndetësor 50 janë pozitivë me COVID-19 dhe në vet izolim janë 8 mjekë./Telegrafi/