Telegrafi

Zemaj: 33 laboratorë privat i kanë plotësuar kushtet për tu licencuar, mund të fillojnë testimet nga java e ardhshme

Foto: Ridvan Slivova

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë konferencës për medie ka bërë të ditur se nga java e ardhshme pritet të nisin punën 33 laboratorët private të cilat janë licencuar për të kryer testet për COVID-19.

Zemaj tha se puna do të fillojë nga java e ardhshme për shkak se do të bëhet edhe njëherë inspektimi i këtyre 33 laboratorëve të cilat i kanë plotësuar kriteret për licencim.

Foto: Ridvan Slivova

“Kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore, për licencim të shërbimit të testimit për COVID-19. Deri tash, bordi i licencimit ka shqyrtuar 37 aplikacione, prej të cilave 33 i kanë plotësuar kushtet dhe mund të fillojnë me testime që nga java e ardhshme. Prej tyre 31 janë institucione që ofrojnë testime serologjike, laborator biokimik, hematologjik dhe ambulanca alergologjike me imonologji klinike dhe dy janë laborator të mikrobiologjisë molekulare klinike që do të ofrojnë testime molekulare me të cilat jeni të njoftuar pra RT-PCR”, bëri të ditur Zemaj. /Telegrafi/