Site icon Telegrafi

Zelensky u paraqit në formë hologrami në një forum teknologjik në Britani të Madhe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua kompanive të mëdha të teknologjisë në një konferencë në Britani të Madhe, duke u shfaqur para audiencës në formën e një hologrami.

Duke iu referuar filmit, “Star Wars”, ai u përpoq të siguronte ndihma për vendin në luftën kundër Rusisë.

Ai u tha qindra njerëzve të mbledhur në VivaTech se Ukraina u ofron kompanive të teknologjisë një mundësi unike për të rindërtuar vendin në formën e demokracisë së plotë dixhitale.

“Është e pazakontë që presidentët ose krerët e qeverive të përdorin një hologram për t’iu drejtuar njerëzve, por ky nuk është aspekti i vetëm i Star Wars që ne e kemi vënë në praktikë”, tha ai. “Ne do të mundim edhe perandorinë”, deklaroi i pari i shtetit ukrainas, duke krahasuar forcat ruse me njerëzit e këqij në filmin, “Star Wars”.

Zelensky shtoi se qeveria e tij do të paraqesë një plan konkret për të krijuar një qeveri dixhitale në një konferencë të mëvonshme në Zvicër.

“Asnjë vend tjetër në botë nuk do t’ju ofrojë një mundësi të tillë për të përdorur teknologjitë më të avancuara në nivel shtetëror”, tha ai, duke shtuar se “është një eksperiment dhe një revolucion dixhital, dhe modernizimi i sistemit ekzistues në të njëjtën kohë”.

Ukraina mori lëvdata për përdorimin e teknologjisë gjatë luftës me Rusinë, duke përdorur komunitetet e kriptovalutave për të mbledhur fonde dhe duke i kërkuar themeluesit të Starlink, Elon Musk t’i furnizonte ukrainasit me shërbimet e internetit satelitore. /Telegrafi/

Exit mobile version