Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është ftuar në samitin e ardhshëm të Aleancës, i cili do të mbahet në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, në muajin korrik.
“Ne mezi presim të takojmë Zelenskyn në samitin tonë në muajin korrik në Vilnius”, tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba.
Stoltenberg përsëriti se NATO mbetet e përkushtuar ndaj politikës së saj të dyerve të hapura dhe është e gatshme të ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, raporton skynews.
“Aleatët e kanë thënë qartë se ne mbetemi të përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s. Ne i bëjmë thirrje Ukrainës që të vazhdojë me reformat, edhe në kohë të vështira. Ne diskutuam rëndësinë e masave kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe të drejtat e pakicave”, tha Stoltenberg.
“Një Ukrainë e fortë dhe e pavarur është e një rëndësie kyçe për stabilitetin e zonës euro-atlantike”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm.
Ministri Kuleba deklaroi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte në interesin më të mirë të sigurisë euroatlantike. /Telegrafi/