Site icon Telegrafi

Zelensky takon Ramën dhe Abazoviqin në Kiev, i falënderon për mbështetje popullit ukrainas

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar momente nga takimi që ka pasur këtë të mërkurë në Kiev me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Presidenti ukrainas në një postim në Facebook, ka thënë se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbështesin ofrimin e Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe ky është një manifestim i rëndësishëm i mbështetjes së popullit tonë. Sot takohem me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq”, shkroi Presidenti ukrainas në rrjetin social.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kanë miratuar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës e mbështesin Ukrainën në marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

Më tej ai shkroi se “Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbështesin dhënien e statusit kandidat për vendin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë evropiane, vendet tona nuk janë konkurrente, por vetëm plotësojnë dhe krijojnë mundësi për njëra-tjetrën. Dritan Abazoviq dhe Edi Rama ju falënderojë për vizitën dhe bisedat produktive!”, ka shkruar Zelensky, transmeton Telegrafi.

Më herët, Rama dhe Abazoviq vizituan ekspozitën “FOREVER FREE UKRAINE”, ku dëshmohen gjurmët e agresionit të Rusisë në Ukrainë përmes ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fotove të ushtarëve dhe civilëve, mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa pa nga afër dëshmi tronditëse të kësaj lufte, Rama la një shënim në Librin e Shënimeve të vendosur në ambientet e kësaj ekspozite.

“Bota ta ndalojë këtë tmerr dhe Ukraina të dalë e rilindur prej tij!”, shkroi Rama në Librin e Shënimeve.

Në një postim tjetër në Twitter, kryeministrat e dy shteteve të Ballkanit shihen duke vizituar edhe qytetin Irpin.

“Ne vizituam qytetin Irpin, ku u shkatërruan 1100 familje. Shumica e qytetarëve u larguan nga shtëpitë e tyre, infrastruktura u rrënua …Ne simpatizojmë Ukrainën, për humbjen e shumë jetëve dhe vuajtjeve që po kalojnë prej muajsh. Paqja është e paçmueshme”, shkruan Abazoviq.

 

Më pas, Rama, ministrja Elisa Spiropali dhe Abazoviq janë pritur nga kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, ndërsa më vonë do të takojnë Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.

Abazoviq dhe Rama janë liderët e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që zyrtarisht e vizitojnë Ukrainën, e cila po përballet me agresion ushtarak nga Federata ruse që nga 24 shkurti. /Telegrafi/

Exit mobile version