Site icon Telegrafi

Zelensky takon kryeministrin irlandez

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është takuar me kryeministrin irlandez, Simon Harris, në aeroportin Shannon në perëndim të Irlandës.

Zelensky bëri një ndalesë të shkurtër në Shannon të Irlandës gjatë rrugës për në shtëpi nga samiti i NATO-s i mbajtur në Uashington.

Bëhet e ditur se gjatë takimit të dy liderëve, Zelensky falënderoi Irlandën për ndihmën e saj për strehimin e refugjatëve.

“Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj, faleminderit popullit të Irlandës për pritjen e shumë refugjatëve ukrainas. Ju jeni me ne që nga fillimi i pushtimit rus. Faleminderit shumë,” tha Zelensky.

Ndërkohë, Harris deklaroi se do të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, “në javët e ardhshme”, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Harris konfirmoi gjithashtu se të dy udhëheqësit kanë diskutuar një marrëveshje të mundshme dypalëshe mbi çminimin, energjinë, ndihmën humanitare dhe sigurinë ushqimore.

Ai deklaroi: “Sigurisht, Irlanda është ushtarakisht neutrale, por ne nuk jemi në asnjë mënyrë neutrale për sa i përket të kuptuarit të dallimit midis së drejtës dhe së gabuarës, së keqes dhe së mirës, ​​lirisë dhe shtypjes. Dhe ne i kemi ofruar ndihmë shumë praktike Ukrainës, në drejtim të avancimit të kauzës së tyre për anëtarësim në BE”.

Harris premtoi se do të punonte për të sjellë në shtëpi fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga forcat ruse.

Ndryshe, qeveria irlandeze ka ofruar 250 milionë euro ndihmë ushtarake jo-vdekjeprurëse për Ukrainën në kuadër të Facilitetit Evropian të Paqes dhe vendi ka mirëpritur mbi 108,000 ukrainas sipas Direktivës së BE-së për Mbrojtjen e Përkohshme. /Telegrafi/

Exit mobile version