Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin e vrau shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.
Ndonëse nuk dha ndonjë provë për pretendimin rreth vdekjes së themeluesit të Wagner pas rrëzimit të aeroplanit të tij muajin e kaluar, Zelensky e përshkroi Putinin si të mposhtur, si njeri dhe si politikan, raporton Sky News, përcjell Telegrafi.
“Fakti që ai vrau Prigozhinin – të paktën ky është informacioni që kemi të gjithë ne, jo një tjetër – kjo flet gjithashtu për flet për racionalitetin e tij dhe për faktin se ai është i dobët”, u shpreh presidenti ukrainas.
“Në Ukrainë nuk kishim ditë zie kur Prigozhin vdiq, për ne kjo do të thoshte një terrorist më pak”.
Kremlini ka thënë më parë se do të hetohen të gjitha shkaqet e mundshme të rrëzimit të aeroplanit ku ishte në bord Prigozhin, së bashku me nëntë persona të tjerë, përfshirë pjesëtarë të grupit Wagner.
Sugjerimet që Putini urdhëroi vdekjen e Prigozhinit dhe njerëzve të tij, Kremlini i quajti “gënjeshtër absolute”.
Shefi mercenar kishte nisur një rebelim në muajin qershor kundër udhëheqjes ushtarake ruse. Rebelimi ishte ndalu pa mbërritur në Moskë. /Telegrafi/