Site icon Telegrafi

Zelensky me një ofertë të drejtpërdrejtë për Kim Jong Un pas kapjes së ushtarëve koreano-veriorë

Presidenti i Ukrainës po ofron një shkëmbim të burgosurish me ushtarët e Koresë së Veriut që ka kapur, në këmbim të ukrainasve të mbajtur nga Rusia.

Bëhet e ditur se Volodymyr Zelensky i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë liderit Kim Jong Un pasi kapi dy koreano-veriorë në rajonin Kursk të Rusisë.

“Përveç ushtarëve të parë të kapur nga Koreja e Veriut, padyshim që do të ketë më shumë. Është vetëm çështje kohe para se trupat tona të arrijnë të kapin të tjerë”, tha ai në një video të postuar në X.

Videoja e tij përfshinte gjithashtu një ofertë ndihme për zyrtarët në Kaliforni që luftojnë zjarret e vazhdueshme atje.

Raportohet se kjo është hera e parë që Ukraina ka njoftuar kapjen e ushtarëve të Koresë së Veriut që nga fillimi i luftës gati tre-vjeçare, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Vlerësimet ukrainase dhe perëndimore thonë se rreth 11,000 trupa nga aleati i Rusisë, Koreja e Veriut, janë vendosur në rajonin e Kurskut për të mbështetur forcat e Moskës, megjithëse Rusia as nuk e ka konfirmuar e as mohuar praninë e tyre.

Por, sipas Zelenskyt, forcat ruse dhe koreano-veriore kanë pësuar humbje të mëdha.

“Ukraina është e gatshme t’i dorëzojë ushtarët e Kim Jong Un, nëse ai mund të organizojë shkëmbimin e luftëtarëve tanë që mbahen robër në Rusi”, shtoi lideri ukrainas.

Ai postoi edhe një video të shkurtër që tregon marrjen në pyetje të dy burrave, të paraqitur si ushtarë të Koresë së Veriut.

Një nga burrat tha përmes një përkthyesi se nuk e dinte se po luftonte kundër Ukrainës dhe i ishte thënë se ishte në një stërvitje.

Gjithashtu, ai u shpreh se nëse urdhërohej të kthehej në Korenë e Veriut, do ta bënte, por ishte gati të qëndronte në Ukrainë nëse i jepej mundësia.

“Njëri prej tyre shprehu dëshirën për të qëndruar në Ukrainë, tjetri për t’u kthyer në Kore”, tha Zelensky, duke shtuar se për ushtarët e Koresë së Veriut që nuk dëshironin të ktheheshin në shtëpi, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion. /Telegrafi/

Exit mobile version