Presidenti Volodymyr Zelensky shprehu mirënjohjen ndaj Japonisë për ndarjen e 3 miliardë dollarëve në kuadër të vendimit të miratuar nga Grupi i Shtatë vendeve në lidhje me kredinë, e cila do të shlyhet në kurriz të të ardhurave nga asetet e ngrira ruse.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i shtetit në Facebook pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të sapoemëruar të Japonisë, Takeshi Iwaya, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
Zelensky vuri në dukje rëndësinë e faktit që kreu i Ministrisë së Jashtme bëri vizitën e tij të parë të huaj në Ukrainë menjëherë pas emërimit të qeverisë së re në Japoni.
Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për ndihmën e saj të konsiderueshme financiare dhe humanitare, duke përfshirë një paketë të re ndihme për sektorin energjetik.
Ministri i Jashtëm i Japonisë, Takeshi Iwaya shkoi në Ukrainë për një vizitë të paparalajmëruar.
Gjatë takimit me presidentin Zelensky, ai diskutoi ndër të tjera për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe kërcënimin nga bashkëpunimi i shtetit agresor me Korenë e Veriut. /Telegrafi/