Ligji ushtarak dhe mobilizimi i përgjithshëm në Ukrainë mund të zgjaten edhe për 90 ditë të tjera pasi Volodymyr Zelensky paraqiti një propozim te ligjvënësit, raporton The Kyiv Independent.
Presidenti fillimisht shpalli gjendjen ushtarake dhe mobilizimin e përgjithshëm në vend pasi Rusia filloi pushtimin e saj më 24 shkurt 2022, përcjell Telegrafi.
Masat janë zgjatur në mënyrë të përsëritur që atëherë dhe muajin e kaluar qeveria ukrainase paraqiti në parlament një version të ndryshuar të projektligjit të saj për të shtrënguar rregullat e mobilizimit të ushtrisë për të siguruar që vendi të ketë një forcë të mjaftueshme luftarake.
Propozimi i ri i Zelenskyt do të zgjasë ligjin ushtarak dhe mobilizimin e përgjithshëm deri më 14 maj.
Sipas ligjit ushtarak, burrat ukrainas të moshës 18 deri në 60 vjeç nuk lejohen të largohen nga vendi pasi mund të thirren për t’u bashkuar me ushtrinë.
Lajmi vjen në kohën kur një grup dypartiak i Senatit Amerikan ka zbuluar planet për një paketë prej 118 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe sigurinë kufitare amerikane.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, marrëveshja përfshin edhe 60.06 miliardë dollarë për përpjekjet luftarake të Ukrainës.
Ndryshe, deri në dhjetor, BE dhe vendet e saj kishin dhënë 143 miliardë dollarë në mbështetje (që përjashton marrëveshjen e fundit prej 54 miliardë dollarësh), e ndjekur nga SHBA me 76 miliardë dollarë.
Pjesa tjetër e botës dhuroi pak më pak se 40 miliardë dollarë.
Pjesa më e madhe e ndihmës së dhënë nga SHBA është në mbështetje ushtarake, ndërsa BE-ja ka ofruar pjesën më të madhe të ndihmës së saj në mbështetje financiare. /Telegrafi/