Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu ka kërkuar vendeve që ta godasin Rusinë me më shumë sanksione në përgjigje të “një vale të re terrori” pas sulmeve të së hënës në Ukrainë.
Të paktën 19 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur raketat ruse goditën rajone përreth vendit.
Pas sulmeve të tjera të martën, Zelensky i bëri thirrje Perëndimit të gjejë mënyra të reja për të ushtruar presion politik ndaj Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën.
Thirrjet erdhën pasi ai u takua me grupin e vendeve të G7 për bisedime virtuale urgjente të martën.
Blloku – që përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja – premtoi të vazhdojë të ofrojë mbështetje “financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore” për vendin e tij “për aq kohë sa duhet”.
“Për një valë kaq të re terrori duhet të ketë një valë të re përgjegjësie për Rusinë – sanksione të reja, forma të reja presioni politik dhe forma të reja mbështetjeje për Ukrainën”, tha Zelensky.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet ishin hakmarrje për shpërthimin e së shtunës në një urë kyçe që lidh Rusinë me Krimenë. /Telegrafi/