Zelanda e Re ka shkarkuar të dërguarin e saj më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar për komentet që vënë në pikëpyetje zotërimin e historisë së presidentit amerikan Donald Trump.
Në një ngjarje në Londër të martën, komisioneri i lartë, Phil Goff krahasoi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës me Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938, e cila i lejoi Adolf Hitlerit të aneksonte një pjesë të Çekosllovakisë.
Goff kujtoi se si Winston Churchill e kishte kritikuar marrëveshjen, më pas tha për liderin amerikan: “Presidenti Trump e ka rikthyer bustin e Churchillit në Zyrën Ovale. Por a mendoni se ai e kupton vërtet historinë”.
Komentet e tij ishin “thellësisht zhgënjyese” dhe e bënë pozicionin e tij “të paqëndrueshëm”, tha ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters.
Komentet e tij erdhën pasi Trump ndërpreu ndihmën ushtarake për Kievin, pas një përplasje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale javën e kaluar.
Ai e krahasoi Trumpin me Churchillin, i cili, ndërsa ishte i larguar nga qeveria britanike, foli kundër Marrëveshjes së Mynihut pasi e shihte atë si një dorëzim ndaj kërcënimeve të Gjermanisë naziste.
Goff citoi sesi Churchill e kishte qortuar kryeministrin e atëhershëm të Mbretërisë së Bashkuar, Neville Chamberlain: “Ju kishit zgjedhjen midis luftës dhe çnderimit. Ju zgjodhët çnderimin, por do të keni luftë”.
Peters tha se pikëpamjet e Goff nuk përfaqësonin ato të qeverisë së Zelandës së Re.
“Kur je në atë pozicion përfaqëson qeverinë dhe politikat, nuk je në gjendje të mendosh lirisht, je fytyra e Zelandës së Re”, shtoi Peters.
Goff është një politikan veteran që kishte qenë komisioner i lartë që nga janari 2023. Para kësaj, ai shërbeu për dy mandate si kryetar bashkie i Auckland, qyteti më i madh i Zelandës së Re, dhe ishte lider i Partisë Laburiste nga 2008 deri në 2011.
Ai kishte mbajtur gjithashtu disa portofol ministror, duke përfshirë Drejtësinë, punët e Jashtme dhe të Mbrojtjes. /Telegrafi/