Telegrafi

Zekirija Ramdani njofton largimin e tij nga Gjilani

Trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Zekirija Ramadani ka konfirmuar se ka shkëputur kontratën me Gjilanin dhe nuk do të mbajë më këtë pozitë.

Ramadani mori drejtimin e Gjilanit në fillim të këtij sezoni duke ndërtuar një skuadër të fortë, me përforcime të mëdha.

Megjithatë, pas eliminimit të hershem nga garat evropiane, presidenti Florim Zuka vendosi të largohet dhe klubi mbeti me probleme të mëdha financiare.

Deri në mbyllje të sezonit vjeshtor, lojtarët dhe trajneri Ramadani u munduan ta japin maksimumin dhe patën paraqitje dinjitoze duke përfunduar në vendin e katërt me pikë të barabarta me Prishtinën e vendit të tretë.

Por, problemet e mëdha financiare kanë bërë që tashmë të fillojnë largimet dhe i pari që ka konfirmuar largimin është trajneri Ramadani.

Postimi pa ndërhyrje i Ramadanit

Mirupafshim S.C.GJILANI Pas një periudhe tepër të vështirë erdhi edhe fundi. Para dhjetë ditëve FIFA shkëputi kontratën time me ekipin e Gjilanit, por unë deri sot kam pritur për ndonjë ndryshim të situatës në klub. Pasi që nuk ka asnjë ndryshim, vendosa t’i jap fund pritjes dhe të mendoj për të ardhmen time si trajner. Falenderoj të gjithë ata që ishin afër klubit në këtë periudhë mjaft të vështirë. Posaqërisht falenderoj futbollistët, sepse ata, pavarësisht miliona problemeve, dhanë maksimumin dhe janë më meritorët që klubi i Gjilanit sot është në këtë pozitë.

/Telegrafi/