Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane ka cilësuar vitin 2022 si kohën e gabuar për dhënien e 100 eurove nga Qeveria e Kosovës si ndihmesë për qytetarët. Si e tillë është cilësuar edhe tërheqja e Trustit.
Arian Zeka ka thënë se viti 2022 nuk është viti i dhënies së 100 eurove dhe as tërheqjes së trustit duke theksuar se Qeveria Kurti nuk po përpiqet as të tregojë se di të menaxhoj situatën e krijuar në vend me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, megjithëse ka vlerësuar përpjekjen e organizatorit të protestës “Pro tërheqjes së 30 përqind të trustit”, Adnan Jashari, ka thënë se tërheqja e trustit nuk do të shuante problemin e krizës.
Ai ka thënë se Oda Ekonomike ka sygjeruar zgjatjen e listës se ushqimeve që lirohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe konsiderimin e normave të tatimeve direkte. Qeveria nuk po dëshmon se di të menaxhohet kjo krizë.
Sipas Zekës, vështirësia e sigurimit të ushqimit pritet të vazhdojë duke pasur për faktorë edhe luftën në Ukrainë dhe zingjirët e importimit të tregut të jashtëm.
I të njëjtit mendim është edhe analisti, Visar Ymeri.
“Do të bëhemi barrë e e një buxheti të ardhshëm”, ka thënë Ymeri gjersa ka theksuar se ideja e 100 eurove është gabim dhe se tërheqja e trustit nuk do të ishte një zgjidhje efikase për adresimin e çështjeve sociale.
Më tej, Ymeri ka theksuar se kritika ndaj qeverisë është se shpeshherë, kjo e fundit tregohet pa ide dhe shpërfillëse.
“Me tërheqjen e trustit do të rëndohet problemi”, ka theksuar ai.
Kësaj i është përgjigjur Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shesedin Dreshaj i cili ka thënë se në një situatë të tillë, kur nuk ka asnjë veprim në aspektin e lehtësimit te tariftave, opozitës nuk ka kërkuar asgjë tjetër përpos tërheqjes së trustit për para që qytetarët i kanë kursyer vet.
Një ide e tillë nga Ymeri është cilësuar si ideja “Sot, për sot”. Ai ka thënë se një ndër idetë me të cilat do duhej të bazohej qeveria është ajo e targetimit të çmimeve dhe mbajtja stabile e tyre.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, u kishte bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin projektligjin, duke theksuar se kjo nuk është vetëm kërkesë e tij, por e të gjithë qytetarëve të Kosovës./Portali D/