Telegrafi

Zeka tha se Specialja ka kërkuar që Azem Syla të mos largohet nga Kosova, reagojnë avokati Berisha dhe deputeti Hoxha

Avokati mbrojtës i Azem Sylës, Besnik Berisha dhe deputeti Sejdi Hoxha kanë reaguar ndaj deklaratës së ish-deputetit Milaim Zeka, që Specialja ka dhënë urdhër që Azem Syla të mos largohet nga Kosova këtë javë.

Berisha në reagimin e tij të bërë ka thënë se deklarata e Zekës është e pavërtetë, transmeton Telegrafi.

“Z. Azem Syla nuk ka kontaktuar asnjëherë me asnjë Prokuror dhe i gjithë komunikimi me prokurorët e Specialiuzar deri më tani është zhvilluar përmes meje si mbrojtës i tij. Deri më sot, nuk ka asnjë kërkesë të tillë nga Prokurorët e Specializuar, madje as që mund të ketë kërkesë të kësaj natyre, sepse liria e lëvizjes nuk mund të cenohet nga askush, pa një vendim të Gjykatës”, thuhet në reagimin e tij.

Tutje ai ka thënë, se nuk ka asnjë logjike të ketë aktakuzë nga Dhomat e Specializuara kundër Azem Sylës.

“Pavarësisht kësaj, nga ajo që unë kam perceptuar me rastin e intervistimit të z. Syla në Hagë si dhe bazuar në zhvilimet e fundit, gjykoj se nuk ka asnjë logjike juridike që të ketë aktakuzë nga Dhomat e Specializuara kundër z. Azem Syla”, pohoi ai.

Lexo po ashtu Milaim Zeka: Prokurorët e Speciales i kanë thënë Azem Sylës mos të largohet nga Kosova

Deklaratën e Zekës për Azem Sylën e ka quajtur të pavërtetë edhe deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha.

Hoxha kërkoi të mos shqetësohen familjet me deklarata të tilla.

“Nuk është hera e parë që jepen lajme të tilla të pavërteta, nuk është e vërtetë që Milaim Zeka ka kontaktuar me Azem Sylën, as direkt e as indirekt, prandaj deklaratat e tilla janë në kundërshtim me çdo etikë profesionale. Nuk është mirë me u shqetësu familjet, në fund të fundit ai është deklaruar se do ti përgjigjet drejtësisë. Nuk është e vërtete që Zeka ka kontaktuar me Sylën”, tha ai në një lidhje telefonike në kanal 10, ku i pranishëm ishte edhe Zeka.

Pas deklaratës së Hoxhës, Zeka insistoi se ka kontakte me Sylën dhe se me të është takuar para një muaji./Telegrafi/