Site icon Telegrafi

Zeka: Rritja ekonomike duhet të jetë dyshifrore

Norma e rritjes ekonomike prej 3.5 për qind nuk do të ndikojë në uljen e varfërisë dhe papunësisë në vend.

Me këtë normë që aktualisht ka vendi, nuk mund të krenohet Qeveria. Kjo e fundit duhet të bëjë politika më të favorshme për fuqizimin e prodhimtarisë.

Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, sipas të cilit duhet të forcohet rendi dhe ligji për të pas investitor serioz.

“Norma momentale e rritjes ekonomike të cilën e kemi shënuar nga viti në vit e që e cila nuk shkon realisht në këto 4-5 vitet e fundit në më shumë se 3.5 % nuk mjafton që vendi edhe një herë të mburret me të gjitha aktivitetet e saj në mbështetje të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Është thënë shumë shpesh nga gjithë ne që kjo normë duhet të jetë së paku dy shifrore, pra të jetë diku prej 8 për qind e tutje”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, Qeveria duhet të fokusohet në nxjerrjen e politikave që do të mundësonin zhvillimin e sektorit privat.

Po ashtu, ai thotë se Qeveria deri tash nuk ka treguar dinamikë të kënaqshme të zhvillimit.

“Kjo po reflekton në normën e zhvillimit ekonomik të cilën po e shënojmë nga viti në vit. Ajo çfarë Qeveria natyrisht duhet të bëjë është të nxjerrë politika të cilat mundësojnë fuqizimin e sektorit privat”, ka vlerësuar Zeka.

Ai ka shtuar se Qeveria do të duhej të fokusohej edhe në tërheqjen e investimeve të huaja dhe të garantojë mjedis serioz për investitorët e brendshëm dhe të huaj, duke mundësuar zbatimin e kontratave biznesore.

“Qeveria duhet të fokusohet në tërheqjen e investimeve të huaja dhe të në tërheqjen e investitorëve serioz të tillë që kanë ndoshta edhe reputacion global. Realisht vendi ynë nuk ofron një mjedis i cili u garanton investitorëve seriozë se ata do të mund të zbatojnë kontratat e tyre dhe të jenë të sigurt ose të mbrojtur së paku në aspektin ligjor. Është jashtëzakonisht shqetësuese deklarata e kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili thotë se këto 15 vite nuk ka as edhe një rast të përndjekjes së korrupsionit i cili ka arritur deri në stadin final të shpalljes së aktvendimit për atë rast të caktuar të korrupsionit. Kjo është shqetësuese. Ky është një sinjal jashtëzakonisht i keq për investitorët e huaj”, ka ngritur alarmin Zeka. /Telegrafi/

Exit mobile version