Site icon Telegrafi

Zeka: PTK u shkatërrua nga PDK dhe LDK, shkatërrimtari numër një është Agron Mustafa (Video)

Milaim Zeka thotë se kishte pritur një përgjigje nga Agron Mustafa për financimin ose jo të një projekti që kishte dorëzuar në PTK.

Ish Kryeshefi i PTK-së Agron Mustafa dhe Nënkryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për gjendjen e PTK-së Milaim Zeka në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, debatuan për degradimin e kësaj ndërmarrje publike.

Deputeti Zeka vlerësoi se shkatërrimtari kryesor i PTK-së ishte Agron Mustafa i cili vepronte në bazë të urdhrave të PDK-së.

“PTK-në e shkatërruan PDK së bashku me LDK-në ndërsa nga faktet që unë posedoj, shkatërrimtari numër një është Agron Mustafa, i cili nuk ka bërë asnjë vepër penale pasi çdo gjë ka bërë me urdhër të udhëheqjes së PDK-së”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i partisë më të re në Kosovë (PEK) ka thënë se drejtuesit e PTK-së kanë dhënë para të mëdha për mediat duke u munduar t’i blejë ato.

“Të gjithë drejtorët e në mënyrë të veçantë Agroni kanë dhënë donacione paushall dhe janë munduar t’i blejnë mediat. Kurrë nuk kam mundur ta kuptojë pse i janë dhënë Eroll Belegut 28 mijë euro”.

Zeka deklaroi se ka fakte që zyrtarë të PTK-së kanë shpenzuar para edhe për qejfe të veta siç është marrja e veturave të shtrenjta me qira për vizita në Shqipëri.

Zeka ka thënë se ka iniciuar një hetim parlamentar edhe për keqpërdorimet në televizionin publik e sipas tij do të vazhdohet edhe me një hetim nga keqpërdorimet në KEK./Telegrafi/

Exit mobile version