Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë se në bazë të dhënave më të sakta që janë publikuar nga ATK në Kosovë, është shqetësues numri i punëtorëve që kanë humbur vendet e punës.
“Vetëm gjatë prillit kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë rreth 11 mijë punëtorë”, tha ai në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.
Zeka thotë se edhe ndihma e shtetit nuk ka qenë proporcionale me dëmin që kanë pësuar kompanitë nga pandemia.
“Ndihma e shtetit nuk ka qenë proporcionale me dëmin që pësuan bizneset. Secili muaj vonesë në zbatimin e pakos emergjente ka vështirësuar pozitën e bizneseve. Edhe vonesa e miratimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike do të ndikojë në shuarjen e më shumë bizneseve”.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se shteti i Kosovës ka dështuar të mbështesë bizneset në këtë pandemi.
Ai thotë se kjo do të ndikojë në humbjen e besimit nga bizneset ne shtet.
“Tashmë disa biznese në shenjë proteste për mos përfitim të mbështetjes nuk po lëshojnë as kuponë fiskalë”, tha ndër të tjera Arian Zeka./Telegrafi/