Telegrafi

Zeka: Kërcënimet amerikane janë serioze, taksa 100 për qind të hiqet pa kushte

Oda Ekonomike dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë shprehur shqetësimin mbi raportet Kosovë-SHBA për shkak të mos largimit të taksës ndaj mallrave serbe.

Ato kërkuan nga institucionet e Kosovës që përkitazi me qëndrimin e SHBA-së të largojnë taksën 100 për qind, pasi kjo sipas tyre, përveç dëmeve politike, po i largon edhe investitorët e huaj.

Në një konferencë për media, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se gjitha kërcënimet për largim të trupave amerikane janë serioze dhe duhet të trajtohen si të tilla.

Për këtë ai i bëri thirrje institucioneve që bashkërisht të dalin dhe të kërkojnë largimin e tarifës pa kushte.

“Kemi pritur që qeveria të ketë veprime shumë më të përgjegjshme edhe ndaj kërkesave partnere. Përfshirë kërkesat e SHBA-së, megjithatë është diçka që dy institucionet tona e ndajnë si qëndrim përbashkët vendimin për heqje të tarifës. Dhënia e mundësisë për një marrëveshje të paqes Kosovë-Serbi do të ndikonte në përmirësimin e imazhit të përgjithshëm që investitorët kanë për Kosovën dhe rajonin. Është momenti i fundit që qeveria jonë dhe Kuvendi i Republikës në seancën e sotme të jashtëzakonshme të diskutohet për raportet e reja mes Kosovës dhe SHBA-së, që të dilet me një raport konsensual që i jep mbështetje të plotë qeverisë për të tërhequr tarifën pa kushte ashtu siç kërkohet nga SHBA. Nuk besoj që kemi partner më serioz se SHBA. Nuk besoj që e kemi luksin që të vazhdojnë rrugëtimin pa ta”, tha ai.