Telegrafi

Zejnullahu-Raçi viziton disa spitale, premton mbështetje për blerjen e pajisjeve të reja

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu- Raçi, vizitoi Spitalin e Pejës, Spitalin e Gjakovës dhe Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë.

Ajo u njoftua për kushtet e punës, derisa vuri ne letër kërkesat e drejtorëve dhe të stafit shëndetësor, të cilat premtoi se do t’i trajtojë me urgjencë.

Zejnullahu-Raçi tha se do të përpiqet maksimalisht që të gjejë zgjidhje për angazhimin e mjekëve specialistë në repartet ku ndihet mungesa e tyre dhe ku rrezikohet seriozisht ofrimi i shërbimeve shëndetësore.

Në përputhje me mundësitë buxhetore, me qëllim që ta ngrisë cilësinë dhe të aktivizojë shërbimet e reja, Zejnullahu-Raçi, u shpreh se do të bëjë të pamundurën që të shtyjë përpara, gjithashtu, kërkesat për blerjen e pajisjeve të reja.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit, Pranvera Zejnullahu- Raçi, po zhvillon një tur të vizitave nëpër spitalet e përgjithshme, për ta kuptuar gjendjen e përgjithshme dhe në koordinim me drejtorët e tyre po synon të shtyjë përpara projektet, që në thelb kanë përmirësimin e kushteve në punë dhe rritjen e llogaridhënies.