Site icon Telegrafi

Blerton Zejneli flet për përvojën në studime, punë dhe të ardhmen

Studentët janë të nevojshëm për një shoqëri të shëndoshë. Kërkimi i diturisë është zbukurim i rinisë. Blerton Zejneli është i ri, student dhe tanimë është në kërkim të përvojave të reja. Për periudhën e kaluar dhe për të gjithë planet në të ardhmen, Telegrafi e ka intervistuar Zejnelin i cili do flas edhe për angazhimin në Siemens.

1. Ju sapo keni mbaruar magjistraturën në FAU Friedrich-Alexander Universität, universitetin më inovativ të Gjermanisë. Na trego më shumë rreth kësaj përvoje?
Studimet e magjistraturës në universitetin FAU në Nyrëmberg të Gjermanisë kanë qenë një sfidë dhe përvojë e veçantë për mua. Dy vitet e studimeve master në Fakultetin Ekonomik të FAU-së pa dyshim më kanë dhënë një mundësi të papërsëritshme për të zhvilluar njohuri dhe aftësi të reja. Mes të tjerash, kjo përvojë më ka hapur dyert drejt aftësimit të mirëfilltë në metodat e ndryshme të hulumtimit shkencor. Aftësia për të hulumtuar është shumë e rëndësishme sepse na pajis me mundësinë për të përdorur metodat dhe njohuritë ekzistuese për të adresuar çështje të ndryshme që i interesojnë shoqërisë dhe shkencës. Po ashtu gjatë kësaj periudhe kam pasur fatin të jem student dhe të mësoj nga ekspertiza e disa nga profesorëve më të spikatur të Gjermanisë dhe Europës në fusha si biznesi ndërkombëtar, politika ekonomike, inovacioni dhe zhvillimi teknologjik. Një mundësi të tillë ua dëshiroj të gjithë të rinjve që kanë ambicie për ta sfiduar veten në shërbim të aftësimit dhe zhvillimit profesional. Përveç zhvillimit të njohurive dhe aftësive, studimi në ambient të tillë akademik të ofron edhe mundësinë për të njohur nga afër kultura të ndryshme nga e gjithë bota. Mundësi të tillë kam pasur edhe gjatë studimeve deridiplomike ku përmes bursës Global UGRAD kam kaluar një pjesë të studimeve deridiplomike në Illinois State University në Shteteve e Bashkuara të Amerikës. Këto vrapime akademike më kanë sfiduar dhe kalitur për maratonën e gjatë.

2. Çka mund të përfitojë shoqëria jonë nga kjo arritje e jotja?
Përgjatë rrugëtimit tim deri më tani jam munduar që vazhdimisht të motivoj dhe të ndihmoj të rinjtë, studentë dhe profesionistë ambiciozë, që të angazhohen dhe të shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për zhvillimin profesional, nga pjesëmarrja në seminare ndërkombëtare deri te studimet në universitetet më të spikatura në Europë dhe botë. Mësimet nga sfidat me të cilat jam përballur gjithmonë i vë në shërbim të atyre që zgjedhin të sfidojnë veten në rrugëtimin për arsim sa më cilësor. Përvojën që kam marrë do të vazhdoj ta ndaj me shoqërinë tonë përmes përcjelljes së njohurive dhe shkathtësive të fituara te të rinjtë e tjerë që duan të mësojnë më shumë në fushat që njoh. Po ashtu, njohuritë dhe aftësitë e fituara vazhdimisht i vendos në zbatim dhe në të mirë të shoqërisë sonë, qoftë përmes projekteve zhvillimore për komunitetin nga projektet e shoqërisë civile, e deri te ndihma për zhvillimin e komunitetit të biznesit dhe ndërmarrjeve të reja. Në këtë formë punoj që zhvillimi im profesional të ketë edhe ndikim pozitiv në zhvillimin e shoqërisë sonë.

3. Ju keni punuar edhe në kompaninë globale Siemens? Na trego më shumë për këtë përvojë.
Si rrjedhojë e rezultateve të treguara në studime dhe aktivitete të tjera paraprake, kam arritur të përzgjidhem për të punuar në njërën ndër kompanitë më të suksesshme ndërkombëtare me qendër në Gjermani, Siemens. Kompanisë Siemens iu bashkëngjita para më shumë se një viti në sektorin që menaxhon me industritë digjitale. Puna në këtë kompani më ka ofruar mundësi të panumërta për t’u zhvilluar si profesionist i ri duke filluar nga zhvillimi i aftësive teknike e deri te përdorimi i njohurive të fituara për të zgjidhur probleme komplekse me të cilat përballet një biznes global. Të punosh në kompani të tillë do të thotë që çdo ditë të zgjidhësh probleme të ndryshme në komunikim me kolegë nga shtete dhe kultura të ndryshme. Ndër mundësitë më unike gjatë punës sime në këtë kompani është mundësia për të mësuar nga përvojat e ndryshme të ekspertëve ndërkombëtarë në fusha të ndryshme që janë pjesë e kësaj kompanie. Po ashtu, gjatë kesaj kohe kam pasur fatin të punoj me një grup kolegësh shumë përkrahës nga përvoja e të cilëve kam marrë shumë aftësi dhe mësime që do të më shërbejnë gjithmonë. Përderisa studimet na njoftojnë me teorinë dhe metodologjinë, puna në biznes na ofron mundësinë për t’u përballur direkt me problemet dhe për të gjetur zgjidhje. Prandaj të gjithë studentëve u sugjeroj të angazhohen në kompani, institucione apo organizata që ushtrojnë profesionin e tyre, që krahas njohurive të fituara të zhvillojnë edhe kapacitetet për implementimin e tyre.

4. I ri dhe tanimë me karrierë. Çka është e radhës?
Në jetë udhëhiqem nga thënia e njohur “Një det i qetë kurrë nuk krijon detarë të aftë”. Si rrjedhojë vazhdimisht i vendos vetes përpara dy lloje sfidash që më bëjnë të eci përpara. Së pari vlerësoj që zhvillimi profesional dhe nxënia e njohurive dhe aftësive të reja duhet të jetë proces i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Për këtë shkak, vazhdimisht e angazhoj dhe sfidoj veten në zgjerim të mëtejshëm të diapazonit të njohurive dhe aftësive, shpeshherë jashtë zonës së konfortit. Tani pas përfundimit të studimeve të magjistraturës jam në shqyrtim të mundësive të tjera për zhvillim të mëtejshëm profesional. Së dyti, vlerësoj që në jetë nuk kemi bërë mjaftueshëm nëse njohuritë dhe aftësitë që zhvillojmë nuk i vendosim në shërbim të të tjerëve, komunitetit dhe shoqërisë sonë. Prandaj, përvojën e fituar deri më tani do ta vendos në shërbim të zhvillimit të komunitetit tonë dhe veçanarisht rinisë, në forma dhe rrethana të ndryshme. Zhvillimi dhe përparimi do të vijë vetëm atëherë kur të gjithë ne do të shfrytëzojmë aftësitë tona në shërbim të shoqërisë ku jetojmë.

5. Nëse do të kishit vlerësuar angazhimin e të rinjve në Maqedoni, nga 1 deri në 5, me çfarë note do ta kishit vlerësuar?
Rinia në vendin tonë dhe në rajon, historikisht ka qenë bartëse dhe udhëheqëse e proceseve kryesore zhvillimore nga betejat për të drejta të barabarta dhe respektim të të drejtave të njeriut, e deri te thirrjet për kauza si mjedisi i pastër dhe arsimi cilësor. Mendoj që rinia jonë ka jo vetëm potencialin për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë por edhe kapacitetin e nevojshëm për ta bërë këtë. Gjithsesi, zhvillimi i botës në shekullin e ri ka sjellë sfida të reja që kërkojnë zgjidhje bashkëkohore. Për t’i arritur këto, të gjithë bashkë si rini duhet të angazhohemi për arsim më cilësor. Arsimi më cilësor na përgatit pë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Në vend të kufizimit në një vlerësim nga 1 deri në 5, vlerësoj që së bashku duhet të zgjerojmë mundësitë që si shoqëri të notohemi me 5, por njëkohësisht të krijojmë mundësi për të rritur shkallën e vlerësimit deri në 10, duke synuar më shumë dhe më mirë.

Exit mobile version