Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, adm. Daniel Hagari të mërkurën e cilësoi qëllimin e luftës të Izraelit për të çrrënjosur grupin terrorist të Hamasit si të paarritshëm.
Kjo, siç vlerësojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, nënvizon tensionet midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të lartë të mbrojtjes lidhur me trajtimin e tij të luftës në Gaza.
“Kjo çështje e shkatërrimit të Hamasit, e zhdukjes së Hamasit – thjesht është hedhje pluhur në sytë e publikut”, citohet të ketë thënë Hagari.
“Hamasi është një ide, Hamasi është një parti. Është i rrënjosur në zemrat e njerëzve – kushdo që mendon se ne mund ta eliminojmë Hamasin e ka gabim”, vazhdoi ai.
Hagari paralajmëroi gjithashtu se “nëse qeveria nuk gjen një alternativë – [Hamasi] do të mbetet” në Rripin e Gazës.
Ndërsa në një përgjigje, zyra e Netanyahut theksoi në një deklaratë se kabineti i sigurisë “ka përcaktuar si një nga qëllimet e luftës shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit”.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë sigurisht të përkushtuara për këtë”, shtohej në deklaratë.
Njësia e Zëdhënësit të IDF-së lëshoi më pas një deklaratë duke thënë se ushtria ishte e përkushtuar ndaj qëllimeve të deklaruara të luftës të qeverisë, duke përfshirë shkatërrimin e aftësive qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, duke shtuar se Hagari kishte folur në intervistë për “çrrënjosjen e Hamasit si një ideologji dhe një ide”.
“Çdo pretendim ndryshe po i nxjerr deklaratat jashtë kontekstit”, shtoi IDF. /Telegrafi/