Telegrafi

Zëdhënësi i të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, konfirmon dorëheqjen e Grenellit nga posti i ambasadorit në Gjermani

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, pritet të japë dorëheqje nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i ambasadorit Grenell, Dick Custin.

I pyetur se a do të vazhdojë të jetë i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, Custin ka theksuar se tani për tani mund vetëm të konfirmoj se Grenell nuk do të jetë më ambasador në Gjermani.

“Unë tani mund vetëm të konfirmoj se i dërguari special i presidentit, Grenell do ta lë vetëm postin e tij si ambasador në Gjermani”, thuhet në përgjigjen e Custin për Telegrafin.

Gazetari Ryan Saavedra në  një artikull të publikuar në DailyWire, ka bërë të ditur se Grenell ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë për vendimin e tij, pasi që presidenti Trump tashmë ka përzgjedhur për drejtor të Inteligjencës Kombëtare, John Ratcliffe, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Pasi paralajmëroi se do ta lërë postin e ambasadorit në Gjermani, Grenell mbetet vetëm emisar për bisedimet Kosovë-Serbi

Grenell planifikonte të rikthehej në shtëpi gjatë kësaj vere, por ishte pajtuar me administratën të qëndroj derisa të nominohet dhe konfirmohet drejtori i ri i Inteligjencës Kombëtare.

Ndërkaq lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe i biri i presidentit Trump që falënderoi Grenellin për kontributin e dhënë.  /Telegrafi/