Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, e ka quajtur hipokrit kryeministrin Albin Kurti i cili për një javë në krye të ekzekutivit ka shkelur të gjitha parimet e promovuara nga vet ai ndër vite.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Bytyçi tha se pas vetëm një jave në pushtet, tash Albin Kurti po flet se si “Lista Serbe nuk është aq e keqe, nuk i quaj çetnikë tash”, e madje thotë edhe se “do të ulem në tavolinë me Serbinë, edhe pa na kërkuar falje”.
“Nëse dëshiron ta shohësh se çfarë njeriu është dikush, jepi pushtet. Albin Kurti për një javë në pushtet shkeli çdo parim që ka promovuar. Pas vetëm një jave në pushtet, tash po flet se si “Lista Serbe nuk është aq e keqe, nuk i quaj çetnikë tash”, e madje thotë edhe se “do të ulem në tavolinë me Serbinë, edhe pa na kërkuar falje”. Ku me e ditë se çfarë do të thotë e do të bëjë deri në fund të javës!? Hipokrizi se jo mahi”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, Kurti sot gjatë një interviste për KTV-në, ka folur edhe për taksën dhe reciprocitetin.
“Unë kam treguar vullnet për heqjen e tarifës 100 për qind dhe kjo të bëhet posa të vendoset parimi i reciprocitetit. Nuk besoj se ka nevojë edhe taksë edhe reciprocitet. Ne dëgjohemi me njëri-tjetrin shumë, dhe s’do të thotë se pajtohemi për gjithçka. Parimin e Reciprocitetit do të elaborojmë”, ka thënë ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/