Zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinov, në lidhje me videon e publikuar për rastin “Haraçi”, sot në konferencë për shtyp deklaroi se partia e tij nuk do të tërhiqet asnjëherë nga lufta për të kthyer drejtësinë në vend.
Ai i ftoi organet gjyqësore të zbardhin të gjitha rrethanat rreth rastit “Haraçi” dhe të japin përgjigje për gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në aktivitete joligjore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kostadinov tha se gjithçka që ndodh, duke përfshirë edhe incizimin e sotëm, është pjesë e skenarit të përgatitur më herët.
“Të gjitha forcat e errëta janë të përfshira në anulimin e shtetit të së drejtës dhe rrezikojnë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut. Jemi të bindur se në fund e vërteta do të dalë në dritë. Përpjekjet e dëshpëruara për të sabotuar hetimet ose për të shpëtuar dikë, do të dështojnë. Jemi të bindur se këto tentime nëntokësore do të shpejtojnë hetimet dhe do të intensifikojnë dhe nxjerrin në pah të gjithë aktorët dhe pjesëmarrësit në rastin ‘Haraçi'”, tha Kostadinov./Telegrafi/