Site icon Telegrafi

“Zë në tërë hapësirën” i Apple Music vjen në modelet e përzgjedhura të Mercedes-Benz

Gjatë ditës së djeshme, Mercedes-Bens kishte njoftuar se do të sjellë mbështetje për “zë në tërë hapësirën” të Apple Music tek disa vetura të përzgjedhura.

Apple Music e lansoi këtë modul me Dolby Atmos vitin e kaluar për një gamë të pajisjeve, duke përfshirë iPhone, HomePod dhe Apple TV, por që tani është hera e parë që ky sistem audio do të jetë i disponueshëm në ndonjë veturë, transmeton Telegrafi.

Ashtu siç mund ta keni marrë me mend, ky integrim audio nuk vije me çmim të lirë.

Mercedes-Benz kishte filluar ta shtojë sistemin Dolby Atmos në modelet e klasit të parë si Maybach, S-Class e edhe tek veturat elektrike si EQS dhe EQE, të cilat vijnë me ndërfaqen më të fundit të prodhuesit të veturave, MBUX dhe sistemin e zërit 3D ose 4D Burmester, raporton The Verge.

Përderisa vet këto vetura kanë çmime deri në 102 mijë euro, këto çmime nuk e përfshijnë sistemin e zërit Burmester, teksa sistemi 3D kushton 4,666 euro shtesë ndërsa sistemi 4D kushton 6,933 euro shtesë.

“Zëri në tërë hapësirën” e Apple Music e fuqizuar nga Dolby Atmos supozohet se do ta rrit nivelin e muzikës dhe ta bëjë atë më të thellë duke shpërndarë zëra të ndryshëm nëpërmjet kanaleve të audios, duke krijuar audio virtuale hapësinore 3D nga altoparlantët ose kufjet tuaja.

Apple Music i etiketon këngët në platformën e saj, këngë këto të cilat e mbështesin këtë format.

“Kualiteti i zërit është shumë i rëndësishëm për Apple Music dhe kjo është arsyeja se pse ne jemi të emocionuar që do të punojmë bashkë me Mercedes për ta bërë këtë të disponueshme në një makinë për herë të parë”, deklaroi nënkryetari i Apple Music dhe Beat, Oliver Schusser.

“Bashkë me Mercedes, ne tani kemi edhe më shumë mundësi për të sjellë muzikë tërësisht me një zë më të thellë tek abonuesit tonë në të gjithë botën” shtoi ai tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version