Telegrafi

Me zë duke iu dridhur dhe pothujase në lotë – Amir Abrashi e cilëson ftesën për Euro 2024 si momentin më të mirë të karrierës

Amir Abrashi është një nga lojtarët që ka dhënë kontributin më të madh në dekadën e fundit te Kombëtarja e Shqipërisë.

Mesfushori gjakovar është pjesë e Kuqezinjve që nga viti 2013 dhe deri më tani ka zhvilluar 50 ndeshje me Shqipërinë.

Por kohëve të fundit ai çuditërisht nuk ishte ftuar nga Sylvinho, edhe pse ishte duke kaluar formë të shkëlqyer me Grasshopperin në Superligën e Zvicrës.

34-vjeçari ka marrë ftesë nga Sylvinho për Euro 2024 dhe për të java e kaluar ka qenë një javë me shumë emocione.

Ai fillimisht luajti dy ndeshje të barazhit me GC-në, duke e mbajtur skuadrën e tij në Superligë dhe i erdhi ftesa për Evropian.

Video e Abrashit është bërë virale në Zvicër dhe jo vetëm, pasi ai me emocione të mëdha ka folur për ftesën në Euro 2024, por edhe për shpëtimin e skuadrës së tij.

“A është ky momenti më i bukur i karrierës? Padyshim, po. Me Evropianin që nuk e prisja. Padyshim që shpresoja, por nuk e prisja”, tha ai duke iu dridhur zëri para kamerave nga emocionet dhe pothuajse me lot në sy.

“Por e dija që më parë duhet t’ia dilja me Grasshopers. Gjendja emocionale ishte brutale. Gjatë javës mora mesazhin dhe lajmin që isha në Europian. Por ndërkohë isha ende në play-off dhe nuk mund të gëzohesha. E dija se çfarë kishte në lojë me Grasshopers. Në fund ia dola me të dyja”.

“Tani mund të shkoj i lehtësuar në ekipin kombëtar e gjithashtu edhe me pushime më pas”, tha Abrashi i emocionuar. /Telegrafi/